Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas aktakuzës së re të Prokurorisë Speciale të Hagës për Hashim Thaçin, ish-komandantin e UÇK-së.
Në një postim në Facebook, ajo ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të mbajë një seancë urgjente për këtë çështje.
“Parlamenti i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatoj për Gjykatën Speciale në Hagë dhe t’i thotë ‘STOP’ përndjekjeve politike!”, ka thënë Musliu.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur akuza ndaj ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçit, për veprat penale të pengimit të drejtësisë, sipas një Aktpadie të konfirmuar.
Sipas ZPS-së, Thaçi ndohej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, kur iu dorëzua fletë-arresti.
“Në aktakuzën e konfirmuar, kundër z. Thaçi janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.
Tutje, Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se Thaçi do të paraqitet para një gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura ndaj tij.