Shkruan: Avni Rudaku
Nga leximet e mia, profesioni dhe pasioni për shkencat shoqërore dhe politike, jam i shqetësuar me disa sjellje të kultit të liderit, kryeministrit në largim, Albin Kurtit. Do të ndaj disa nga sjelljet, të cilat manifestojnë krizë të rëndë shoqërore, morale, politike dhe institucionale, përtej bllokimit njëvjeçar, që mund të pritet në një demokraci.
“Albin baba”
Nëse një lider partiak, udhëheqës politik, kryeministër, quhet baba, kjo nënkupton figurë paternaliste, patriarkale, patrilineare, që shihet si autoritet i pakontestueshëm, absolut, i pagabueshëm, mitik dhe hyrje në mëkate nëse kundërshtohet fjala e tij. Përtej kësaj, psikologjikisht do të thotë marrëdhënie emocionale, e jo vetëm me karakter politik. Dhe më shumë se kaq, se lideri “di më mirë se të tjerët”, prandaj as nuk bën, as nuk duhet ta kundërshtojmë, sepse është baba, është fjala e parë dhe e fundit. Zakonisht në aspektin shkencor, “Albin baba” shfaqet kur institucionet shtetërore janë të dobëta, besimi në institucione është në rënie, mungon besimi në drejtësi dhe qytetarët lidhen emocionalisht dhe politikisht, më shumë me individin, liderin, sesa me ligjin e shtetin.
“Ia jap dy vajzat Albin Kurtit për të dalë nipat inteligjentë”
Një mërgimtar doli me zë e figurë, e deklaroi diçka të pabesueshme në shekullin XXI, kur inteligjenca artificiale po transformon shoqërinë njerëzore, ku nga google dalim në dijet e integruara e të sintetizuara në një rubrikë të vetme, të makinave që mësojnë përmes gjuhës unike. Mërgimtari euforik, deklaroi: “Ia jap dy vajzat Albin Kurtit për të dalë nipat inteligjentë”. Kjo është hiperbolë letrare-fantastike, por edhe sarkastike e dramatike (kryesisht tragjike), duke shfaqur besnikëri ekstreme ndaj liderit, nënshtrim, idealizim të liderit si figurë e shenjtë, e pakontestueshme, e shfaqur në shumë kulte liderësh diktatorialë e fetarë që ndonjëherë edhe abuzonin me pushtetin me besimtarët, që miratonin me “prova personale”, edhe martesa për të tjerët, pas vizitës në tempuj fetarë. Deklarata si e tillë, shpreh edhe mentalitet patriarkal, ku bijat përdoren si objekte, e jo subjekte të mëvetësishme, si simbole nderi, dhuratash, e jo si subjekte me vullnet autonom për rritje personale e vetëplotësim, vetërealizim e vetaktualizim, për të përzgjedhur partnerin. Në aspektin politik, deklarata sforcon kultin e personalitetit të liderit.
Kënga për liderin dhe emërtimi i urës me emrin e Albin Kurtit
Kur lideri bëhet lirikë muzikore, jehojnë edhe në të gjallë në vokal e instrumental, është një nismë për përjetësim të figurës së liderit, mbilavdërim, ku lideri shihet si shpëtimtar, hyjnor. Historikisht është zbatuar për propagandë, ndonëse në raste të rralla, bëhet pas vdekjes, me konsensus të gjerë demokratik, pa qëllim elektoral, për ta nderuar një lider për kontribut të jashtëzakonshëm, siç është emërtimi në të gjallë Bill Kllinton në Prishtinë, Toni Bler në Ferizaj etj., për të shpehur mirënjohje për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, nga ndërhyrja ndërkombëtare perëndimore, por pa impakt në ofertën elektorale brenda shtetit. Në rastin e Kurtit, është propagandë e organizuar sistematike, duke anatemuar opozitën dhe kritikët e pushtetit. Edhe propozimi i emërtimit të Urës së Mitrovicës, si “Ura e Albin Kurtit” është pjesë e propagandës së pushtetit komunal nga kryetari i partisë në koalicion me partinë e Kurtit, për “çlirimin e bashkimin e Mitrovicës” nga Kurti, pas emisionit tejet të diskutueshëm të Grida Dumës.
Leximi i të gjitha shenjave
Të gjitha këto deklarata militantësh, mund të lexohen si kult personaliteti, shuarje e mendimit kritik shoqëror dhe politikë sentimentale, duke rrezikuar mbikëqyrjen sistematike të pushtetit. Të gjitha këto shprehje, janë simptomatike nga shembujt e këqijë historikë. Stalini si udhëheqës i së keqes universale në Bashkimin Sovjetik, emërtohej “Ati i popujve”, “Babushka”, me emërtime Stalin, të qyteteve, Stalingrad, me rrugë, fabrika dhe kushdo që e kritikonte atë, ishte tradhëtar, revizionist; kjo të kujton edhe këngën për diktatorin jugosllav, Titon, me këngën “Tito është hero” nga Gazmend Pallaska, me emra rrugësh, poezish, shkolla e ura; Enver Hoxha si diktator i Shqipërisë, bëri që shumë emra edhe në Kosovë të jenë Enver, titulli i nderit gjithandej ishte “shoku Enver”, me portete e monumente të tij kudo në hapësira publike dhe çdo kundërshtim përfundonte në internim, burgosje, tortura e vrasje të hapur e tinëzare. Edhe sot, Kim Jong dhe pasardhësit e dinastisë së tij familjare e totalitariste në Korenë e Veriut, trajtohen si figura hyjnore, qajnë para tij kolektivisht, dridhen dhe stepen. Dashuria për liderin i zëvendëson krejt ligjet, normat shoqërore dhe institucionet shtetërore. Sociologjikisht dhe politikisht, mund të interpretohet edhe shtet kosovar me institucione të dobëta ose dobësim të institucioneve, gjykata të lodhta ose sulme të gjykatave nga pushteti, shtet i brishtë, rregulla elastike, nevojë për figura të forta mbrojtëse, e jo shtet të mirëqenies sociale, njësoj për të gjithë. Janë shenja e simptoma të shoqërisë patriarkale e diktatoriale, ku autoriteti lidhet fuqishëm me figurën mashkullore “babë”, bindja ka vlerë më shumë se mendimi kritik e racio, e ku lideri është baba, prijësi, udhëheqësi, profeti, nderi. Në aspektin etnopsikologjik të shoqërisë kosovare, mund të lexohet se qytetarët ndihen të frikësuar, me pasiguri, të rraskapitur, të shqetësuar, të varfër dhe me nevojë për stabilitet, iluzion, deluzion, madhëri.
Alternativa ndaj Albin babës
Në demokraci funksionale e të konsoliduar, nuk ka babë, nuk ka profet, nuk ka kult personaliteti, nuk ka shpëtimtar, nuk ka mesih, por ka vetëm liderë politikë që janë të zëvendësueshëm, të gabueshëm dhe që duhen të jenë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme, kritikën sistematike dhe vlerësim të përditshëm, madje edhe kur perceptohen nga shumica, si liderë të paparë. Gjithmonë duhet dyshuar te pushteti, sepse ka fuqi për të kontrolluar përshtypjet.

