Sot mund të merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Grupi Punues për Vizat në Kuadër të Këshillit Evropian do ta shqyrtojë dokumentin që i është dërguar të gjitha vendeve anëtare të BE-së, në të cilin thuhet se Kosova i përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.
Ndërsa, të premten më 14 tetor do të mblidhen ministrat e punëve të brendshme të Unionit, konkretisht të Këshillit të Shengenit.
Aty do të diskutohet situata e përgjithshme, me fokus të veçantë në menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe do të vendosin veprime në këtë fushë, njofton Klankosova.tv.
Vendimin final për liberalizim, pas kryerjes së procedurave paraprake, e merr Këshilli Evropian (KE) me shumicë të kualifikuar.
E lidhur me këtë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të ndodhë nesër, pasi që fillimisht do të ketë diskutime.
Kështu u shpreh ai në një konferencë për media pas dorëzimit të Raportit për Kosovën, të mërkurën.
“Por kjo çështje është një diskutim në nivel të ekspertëve dhe në nivelin e ekspertëve nuk mund të prisni vendime, do te këtë diskutime dhe në fund të fundit është Këshilli i Ministrave që vendos”, theksoi ai.