Ministri për Punën, Familjen dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti, ka thënë se do ta votonte “me dy duar” zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Në një deklaratë për Euronews Albania, Hoti ka thënë se një nismë e tillë do të kërkonte edhe votat e shumicës së deputetëve të komunitetit serb.
“Unë jam ministër tash, por kam qenë edhe deputet. Me dëshirën më të madhe do ta votoja me dy duar zhbërjen e Gjykatës Speciale, por ne kemi një Kushtetutë dhe na duhet edhe vota e shumicës serbe”, ka deklaruar Hoti.
Megjithatë, ai ka shprehur dyshime se një nismë e tillë do të merrte mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
“Unë nuk besoj se, po të ishte në dorën e deputetëve, do të votohej kjo punë”, ka thënë ai.
Hoti ka folur edhe për aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ai e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka deklaruar se, sipas tij, drejtësia ndërkombëtare “shpërblen agresorin dhe dënon viktimën”.
Hoti ka thënë se katër ish-krerët e UÇK-së, në emër të popullit të Kosovës, janë “çlirimtarë” dhe jo “kriminelë”.
Ministri ka përmendur edhe babanë e tij, Ukshin Hotin, duke thënë se vendimi i sotëm ia ka kujtuar procesin gjyqësor ndaj tij gjatë kohës së regjimit serb.
Ai ka folur gjithashtu për personat e pagjetur nga lufta në Kosovë, duke thënë se ende kërkohen 1,560 persona të zhdukur.










