Asamblistja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Ardita Ukshini, ka reaguar publikisht kundër propozimit për ndërtimin e deponisë së mbeturinave inerte në fshatin Malishevë.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ukshini ka shprehur mbështetjen e saj për banorët e Malishevës, të cilët po kundërshtojnë këtë projekt, duke theksuar se do të votojë kundër tij edhe në Kuvendin Komunal. Sipas saj, lokacioni i propozuar nuk i plotëson kushtet e nevojshme, ndërsa komuna ka alternativa të tjera ku mund të ndërtohet deponia pa rrezikuar interesat dhe sigurinë e banorëve.
Ky është reagimi i plotë i Ardita Ukshinit:
“Si asambliste e Kuvendit Komunal në Gjilan, por edhe si qytetare e Gjilanit, i bashkohem reagimit të banorëve të Malishevës, të cilët me arsye po e kundërshtojnë propozimin e komunës për ndërtimin e deponisë së mbeturinave inerte në fshatin Malishevë.
Kundër këtij projekti do të votoj edhe në Asamble, sepse besoj se ky projekt nuk i plotëson kushtet për t’u ndërtuar në lokacionin e paraparë, pasi që komuna ka mjaft zona të tjera periferike ku mund të ndërtohet deponia pa qenë pengesë apo rrezik për banorët.
Gjithashtu, gjatë bisedës me disa banorë të Malishevës, u njoftova se nga lokacioni ku është paraparë ndërtimi i deponisë, banorët furnizohen me ujë të pijshëm, çka do t’u shkaktonte dëm shtesë dhe të drejtpërdrejtë edhe banorëve të fshatit.
U bëj thirrje kolegëve të Asamblesë që të marrin në konsideratë kërkesat e banorëve dhe të rishqyrtojnë edhe një herë këtë propozim.”

