Shkruan: Ismajl Veliu
Muhamer Abdullahu është një nga figurat më të njohura dhe më të respektuara të futbollit në qytetin e Gjilanit.
Dashuria e tij për futbollin nisi që në moshë të re. Në fillim të viteve `70-ta filloi karrierën si portier në kategoritë e reja të “Crvena Zvezda” (Ylli i Kuq).
Falë talentit, disiplinës dhe përkushtimit të madh, ai u afirmua shpejt si një portier me cilësi të veçanta.
Në vitin 1978 u inkuadrua në ekipin e seniorëve, ku për shumë vite mbrojti me sukses portën e klubit.
Në atë periudhë konsiderohej ndër portierët më të mirë të Gjilanit, duke qenë shpesh vendimtar me pritjet e tij dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në sukseset e ekipit.
Në vitin 1985 iu bashkua KF Drita, së bashku me një numër futbollistësh të tjerë të njohur.
Përvoja, siguria dhe autoriteti i tij në portë ndihmuan klubin në arritjen e rezultateve të rëndësishme, ndërsa në vitin 1986 Drita arriti një sukses të madh duke u shpallur kampione.
Pas përfundimit të karrierës aktive në vitin 1989, Muhamer Abdullahu vazhdoi të kontribuojë në futboll si trajner i portierëve.
Nga viti 1995 ai punoi në KF Drita, në stafin teknik, të drejtuar nga trajneri Skender Hoxha.
Edhe në vitet më të vështira për Kosovën dhe sportin kosovar, ai nuk u largua asnjëherë nga futbolli, duke vazhduar të punojë me përkushtim dhe të edukojë breza të rinj sportistësh.
Pas luftës, në vitin 2000, iu bashkua KF Gjilani si trajner i portierëve.
Gjatë kësaj periudhe klubi arriti suksese të rëndësishme, duke fituar Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 2004.
Më pas u rikthye në KF Drita, ku punoi si trajner i portierëve nga viti 2004 deri në vitin 2006.
Nga viti 2006 deri në vitin 2014 vazhdoi sërish aktivitetin e tij në KF Gjilan, duke mbetur një figurë e rëndësishme në përgatitjen e portierëve dhe afirmimin e futbollit gjilanas.
Përveç angazhimit në klube, Muhamer Abdullahu për shumë vite ka dhënë kontribut edhe si delegat në futbollin rajonal, duke vazhduar t’i shërbejë sportit me të njëjtin përkushtim që e karakterizoi gjatë gjithë karrierës së tij.
Me punën, korrektësinë, profesionalizmin dhe dashurinë për futbollin, Muhamer Abdullahu mbetet një nga figurat më të respektuara të sportit në Gjilan, një emër që ka lënë gjurmë si portier, trajner dhe veprimtar i palodhur i futbollit.

