Komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) të Serbisë, Igor Zhmiric, është arrestuar të martën, me urdhër të Prokurorisë së Parë Themelore në Beograd, raporton mediumi serb Nova.rs.
Sipas informacioneve jozyrtare të këtij mediumi, Zhmiric është njëri nga pesë personat e arrestuar në një aksion të madh të inspektorëve të Sektorit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Përveç tij, janë arrestuar edhe katër ish-pjesëtarë dhe pjesëtarë aktualë të Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve (JZO).
Ata dyshohet se kanë marrë pjesë në ndërhyrjet policore gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit 2025, në bulevardin “Kralja Aleksandra”, pranë Fakultetit Juridik në Beograd.
Gjatë këtyre ndërhyrjeve, disa studentë u lënduan dhe u shoqëruan në polici. Në një rast, policia hyri edhe në ambientet e Fakultetit Juridik, duke cenuar autonominë universitare.
Ndaj Zhmiricit ishte ngritur kallëzim penal për pjesëmarrje në arrestimin dhe keqtrajtimin e studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave të 14 gushtit të vitit të kaluar në Beograd.
Karrierën e tij ai e kishte nisur në Njësinë për Operacione Speciale (JSO), ndërsa më vonë kishte shërbyer në Xhandarmëri, Njësinë Kundër Terrorizmit dhe në Njësinë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve, ku kishte mbajtur pozitën e zëvendëskomandantit.
Pas shkarkimit të Spasoje Vuleviqit dhe emërimit të Zhmiricit, ky i fundit ishte vendosur në krye të SAJ-it.
Nova.rs shkruan se arrestimet lidhen me hetimet për keqtrajtimin e studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave në Serbi.










