Ish-gjyqtari i Superligës së Kosovës, Shpëtim Murtezi, ka reaguar pas një prej situatave të diskutueshme të referimit në ndeshjen ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e zhvilluar sot në Gjilan.
Murtezi ka shprehur paqartësi lidhur me mënyrën se si është interpretuar ndërhyrja e VAR-it në një aksion ku, sipas tij, shihet një dorë e zgjatur dhe një shtyrje nga prapa ndaj futbollistit të Dritës.
Ai ka vlerësuar se intensiteti i shtyrjes nuk mund të matet më mirë përmes ekranit sesa nga gjyqtari që ndodhet në fushë, duke ngritur pikëpyetje për vendimmarrjen në këtë rast.
Më poshtë, reagimi i plotë i Shpëtim Murtezit:
Nuk po e kuptoj protokollin e dhomës së VAR-it në ndeshjen Drita – Prishtina. E qartë është për gjyqtarin në fushë se ka parë një dorë të zgjatur dhe një shtyrje nga mbrapa ndaj lojtarit të Dritës, dhe në këtë situatë VAR-i nuk ka fakte për të ndërhyrë, se nuk kemi të bëjmë me një faull.
Nuk matet intensiteti i shtyrjes përmes ekranit më mirë sesa nga ndjesia e gjyqtarit që është në fushë.
Kur një skuadër merr hov me ndeshje të mira, sikurse Drita, nuk duhet t’i pengojë askush. Mos shikoni t’i barazoni situatat.










