KU PO SHKON KY VEND?!
Vrasje të rënda, jetë të shuara, familje të shkatërruara, depresion gjithnjë e më i thellë, pasiguri, frikë dhe një heshtje që po bëhet shqetësuese!
Çfarë po ndodh me shoqërinë tonë? Deri kur do të zgjohemi çdo ditë me lajme që na tronditin, me jetë të humbura dhe me tragjedi që lënë pas dhimbje të papërshkrueshme?
Nuk mund të vazhdojmë ta trajtojmë çdo tragjedi si një lajm të radhës, për ta harruar pas dy ditësh. Pas çdo vrasjeje qëndron një jetë, pas çdo tragjedie një familje, pas çdo heshtjeje një problem që ndoshta nuk e kemi parë ose nuk kemi dashur ta shohim.
Ndoshta ka ardhur koha të reflektojmë më thellë si shoqëri. Të pyesim veten se çfarë po ndodh me komunikimin mes nesh, me respektin për njëri-tjetrin, me edukimin e brezave të rinj dhe me vlerat që po ua përcjellim fëmijëve tanë. Sepse një shoqëri e shëndoshë nuk ndërtohet më atë çfar kemi arritur në jetën tonë përsonale, por me një shoqëri që dinë të respektojnë, të mirëkuptojnë dhe ta vlerësojnë jetën.
Po aq shqetësues është edhe fakti se shumë nga ne si shoqëri po përballen në heshtje me ankthin, depresionin, vetminë dhe mungesën e shpresës. Jo çdo dhimbje shihet, jo çdo plagë është e dukshme dhe jo çdo njeri që buzëqesh është mirë. Prandaj, duhet të mësojmë të dëgjojmë më shumë, të gjykojmë më pak dhe të mos e nënvlerësojmë asnjëherë rëndësinë e mbështetjes njerëzore.
Një shoqëri që humb sigurinë, shpresën dhe besimin në të ardhmen, duhet të ndalet dhe ta pyesë veten seriozisht.
Ku po shkojmë kështu?
Na duhet më shumë përgjegjësi, më shumë kujdes për shëndetin mendor, më shumë siguri, më shumë solidaritet dhe mbi të gjitha, më shumë vlerë për jetën e njeriut. Kjo është përgjegjësi e përbashkët, e familjes, e shoqërisë dhe e secilit prej nesh.
Sepse nuk mund të pajtohemi me një realitet ku frika bëhet pjesë e përditshmërisë dhe tragjedia bëhet lajm i zakonshëm.
Pasi një shoqëri kur fillon të mësohet me tragjeditë, problemi më i madh nuk është vetëm ajo që po ndodh, por fakti që rrezikojmë të mos na tronditë më asgjë!
Arton H. Hoxha, Mr. Urbanist | MSc në Arkeologji










