Më 15 qershor 2025, me fillim nga ora 20:30, në ambientet e Shkollës së Muzikës në Gjilan, flautistja Arzije Rifati do të mbajë koncertin e saj recital, me një repertor të përzgjedhur që përfshin vepra nga kompozitorë klasikë dhe bashkëkohorë si: G. Bizet, A. Piazzolla, I. Clarke, P. Tchaikovsky etj., në shoqërim të Sumeja Baftijari – piano dhe Urim Maliqi – kitarë.
Ky koncert organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe synon të sjellë një përjetim të veçantë muzikor për artdashësit në qytetin e Gjilanit, aty ku artistja nisi rrugëtimin e saj artistik.
Arzije Rifati përfundoi shkollën fillore dhe të mesme të muzikës në drejtimin instrumental – flaut në Gjilan. Studimet Master për muzikë në performim i përfundoi në vitin 2019, ndërsa diplomën Bachelor e mori në vitin 2017, në klasën e Prof. Venera Mehmetagaj-Kajtazi.
Po në vitin 2017, ajo fitoi audicionin për të interpretuar si soliste me Filharmoninë e Kosovës. Është anëtare e Orkestrës së Operës së Kosovës, duke marrë pjesë në operën e parë të realizuar në vend, “La Traviata” (2022), si dhe si flautiste e parë në operën “Lo Speziale” (2023).
Ajo ka qenë fituese e disa garave kombëtare, përfshirë çmimin e parë në “Ars Kosova” (2016) dhe çmimin e dytë në “Pjetër Gaci” (2017). Që nga viti 2014, është ftuar rregullisht në festivalin “Tingujt e Flautit”, ku është paraqitur me koncertin recital “Duo Flaut” bashkë me Emirë Rifatin.
Përvoja e saj është zgjeruar përmes pjesëmarrjes në shumë masterklase me profesorë të njohur ndërkombëtarisht si Bulent Evcil (Turqi), Lydia Oshavkova (Bullgari), Ljubisa Jovanovic (Serbi) dhe Mario Mesany (Çeki).
Ajo është anëtare aktive e disa ansambleve kamertale si “Trio Frymorë” dhe “Trio Papillons”, si dhe e Orkestrës së të Rinjve të Kosovës, duke kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e muzikës klasike në vend.
Recitali i 15 qershorit pritet të jetë një mbrëmje e pasur në tinguj të thellë, energji interpretative dhe vlera artistike – një ngjarje që nuk duhet humbur nga asnjë adhurues i muzikës klasike.