Drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, ka publikuar lejen zyrtare të ndërtimit për projektin e Bulevardit të qytetit, pas polemikave dhe debatit publik që ka shoqëruar nisjen e punimeve.
Përmes një reagimi publik, Ibrahimi ka theksuar se projekti po ecën përpara pavarësisht, siç i quan ai, tentativave për bllokim dhe dezinformim nga kundërshtarët politikë.
“Bulevardi po bëhet realitet. Ata i kanë fjalët, ne i kemi punët. Ata i kanë sabotazhet, bllokadat dhe mosvotimet e buxhetit, ndërsa ne kemi projektet më të mëdha të qytetit, të cilat tashmë kanë nisur të realizohen”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka nënvizuar se qytetarët presin rezultate konkrete dhe jo premtime, duke shtuar se transformimi i qytetit tashmë ka nisur dhe do të vazhdojë me realizimin e projekteve të tjera zhvillimore.
Në fund të reagimit të tij, drejtori i Shërbimeve Publike ka publikuar edhe lejen e ndërtimit për projektin e Bulevardit, duke iu përgjigjur zërave që kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e punimeve.
“Për të gjithë ata që ngritën polemika e dezinformata, mos të harrojmë se edhe leja e ndërtimit është publikuar. Faktet flasin vetë, ndërsa puna vazhdon”, ka theksuar ai.
Publikimi i lejes vjen në një kohë kur projekti i Bulevardit ka qenë në qendër të diskutimeve politike dhe publike, ndërsa autoritetet komunale insistojnë se investimi do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin urban të qytetit.




