Shkatërrimin e tokës bujqësore nuk do ta shmangë as projekti i fundit infrastrukturor.
Segmenti Kijevë- Klinë- Zahaq i Autostradës Prishtinë- Pejë, nuk do të zgjerohet në rrugën aktuale, raporton KTV.
Segmenti do të kalojë në prona private dhe 60 përqind e tyre është tokë pjellore.
Nga të dhënat e siguruara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, vërehet se pjesa tjetër do të kalojë në tokë pyjore.
Ligjëruesi në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se këto toka duhet të jenë më të mbrojtura nga projektet rrugore.
Tokat kategorizohen nga kategoria 2 deri në 6.
Sipas profesorit, kjo tregon se kanë vlera të larta që rezultojnë në rendimente të mëdha të kulturave që mbillen.
Shkatërrimi i tyre nuk po mirëpritet nga Shoqata e Mullisëve. Këto toka, thonë të jenë mbjellë prej vitesh me grurë e misër.
Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë pranuar të deklarohen para kamerës, sepse projekti nuk është bërë nëpër rrugën ekzistuese.
Përmes një përgjigjeje elektronike, shkurt kanë thënë se traseja është paraparë nga ekspertët të kalojë në toka bujqësore.
“Ministria e Infrastrukturës nuk ka ndërruar trase, por ka zhvilluar projekt të paraparë në trase të re për segmentin e mbetur, kjo është paraparë nga ekspertët e fushës. Kjo është konform rregullave dhe standardeve për ndërtimin e autoudhëve. Të gjitha procedurat e shpronësimit kanë përfunduar dhe janë në proces të ankimimit nga palët, por nuk do të ndikojnë në mbarëvajtjen e zhvillimit të këtij projekti, shumë të rëndësishëm për zonën e Dukagjinit, si një korridor që e lidh Kosovën me R6 dhe R7, korridorin VIII dhe X.
Argjend Zejnaj- Këshilltar i lartë në Ministrinë e Infrastrukturës
Qeveria ka vendosur muajin e kaluar për nisjen e procesit të shpronësimit të tokave që kalojnë nëpër këtë segment të autostradës Pejë – Prishtinë.