Të gjitha fluturimet në Shtetet e Bashkuara janë ndalur të premten pasdite, për shkak të problemeve me sistemet e komunikimit në qendrat rajonale të kontrollit të trafikut ajror.
Sipas agjencisë së lajmeve AP, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka marrë vendimin për ndalimin e fluturimeve për arsye sigurie.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ka bërë të ditur se problemi i komunikimit prek 22 qendrat rajonale të kontrollit të trafikut ajror, të cilat drejtojnë avionët gjatë fluturimeve ndërmjet aeroporteve në të gjithë vendin.
Ai ka thënë se teknikët e FAA-së janë duke hetuar shkakun e problemit.
Ky është ndalimi i parë i fluturimeve në nivel kombëtar që nga janari i vitit 2023, kur një defekt në një sistem kompjuterik të FAA-së kishte shkaktuar ndërprerje të operacioneve ajrore.
Sipas AP-së, problemi i fundit mund të jetë i lidhur me teknologjinë e vjetruar që përdoret nga kontrollorët e trafikut ajror.
Qeveria amerikane ka nisur një projekt për modernizimin e kësaj teknologjie, për të cilin Kongresi kishte miratuar 12.5 miliardë dollarë vitin e kaluar. Megjithatë, sekretari Duffy ka deklaruar se nevojiten edhe 30 miliardë dollarë për përfundimin e punimeve.
Eksperti i sigurisë së aviacionit, Steve Arroyo, ka thënë se ndalimi i avionëve në tokë ishte i domosdoshëm për të shmangur rrezikun e humbjes së komunikimit me ta gjatë fluturimit.
Ai ka sqaruar se situata e së premtes ndryshon nga ndalimi i fluturimeve pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, pasi këtë herë avionëve nuk u është kërkuar të ulen menjëherë.










