Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së në Gjilan, Ardian Azemi, ka reaguar pas shkarkimit të kryesuesit të Kuvendit Komunal të Gjilanit dhe dështimit për ta zgjedhur kryesuesin e ri.
Azemi ka thënë se Kuvendi Komunal duhet të funksionalizohet, ndërsa kush me kënd e bënë dhe tema tjera, nuk i intereson qytetarëve.
“Kuvendi i Komunës në Gjilan të premten e javës së ardhshme duhet të bëhet me kryesues, asgjë tjetër nuk i intereson qytetarit. Kuvendi Komunal në Gjilan duhet të funksionalizohet dhe të jetë në shërbim të Gjilanit dhe të qytetarëve, ndërsa kush me kënd bëhet, kush del e sa kandidat dalin, edhe kjo bash hiç nuk i intereson qytetarëve”, është shprehur Azemi.
Ai ka shtuar se për AAK-n nuk është e rëndësishme kush përfiton e kush humb nga këto zhvillime, sepse sipas tij, interesi qytetarë është mbi të gjitha.
“Si subjekt politik, aspak nuk na intereson kush përfiton e kush humb nga krejt këto zhvillime në Komunë. Jemi dhe do të jemi kryekëput në shërbim të Gjilanit e të interesit të përgjithshëm”, ka shtuar ai.
Azemi ka thënë se qytetarët janë duke vëzhguar me kujdes për zhvillimet në Komunë. “Për një gjë ju siguroj: qytetari është duke ju vëzhguar!”, ka përfunduar Azemi.