Banorët e lagjes “Dheu i Bardhë”, në afërsi të shkollës fillore, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen e rrugëve pas punimeve që po zhvillon KEDS. Sipas tyre, pas hapjes së rrugëve për kryerjen e punimeve, gropat nuk po sanohen në kohë, duke krijuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Ata theksojnë se Komuna e Gjilanit ka investuar së fundmi në asfaltimin e këtyre rrugëve, ndërsa tani, për shkak të punimeve, ato janë dëmtuar dhe kanë mbetur të hapura për ditë të tëra pa u rikthyer në gjendjen e mëparshme.
Banorët shprehen të indinjuar me këtë situatë dhe kërkojnë nga KEDS që, pas përfundimit të çdo ndërhyrjeje, të bëjë menjëherë sanimin e rrugëve, në mënyrë që të shmangen rreziqet dhe dëmtimet e mëtejshme të infrastrukturës.
Ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të mbikëqyrin zbatimin e punimeve dhe të sigurojnë që çdo rrugë e hapur të rikthehet sa më shpejt në gjendje të rregullt, duke respektuar standardet dhe investimet publike./Radio Star/

