Ndeshja e sotme ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e zhvilluar në Gjilan, u shoqërua me diskutime edhe për nivelin e gjykimit, ku vëmendje të veçantë mori paraqitja e gjyqtarit kryesor, Bardh Ajeti.
Ajeti, të cilit Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ia besoi drejtësinë në njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të futbollit kosovar, sipas vlerësimit tonë, nuk arriti të ofrojë një paraqitje në nivelin që kërkon një përballje e kësaj rëndësie.
Gjatë takimit pati disa vendime që ngritën pikëpyetje dhe shkaktuan pakënaqësi, veçanërisht ndërhyrja e kontestuar në zonën e Dritës, e cila u bë një nga momentet më të diskutuara të ndeshjes.
Vendimet e tilla ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin për drejtësinë sportive dhe mund të shtojnë tensionin në fushë, sidomos në ndeshje me rivalitet dhe peshë të madhe sportive.
Kritika ndaj gjykimit nuk duhet të kuptohet si paragjykim ndaj gjyqtarit, por si kërkesë për standarde më të larta profesionale. Ndeshjet e këtij niveli kërkojnë gjyqtarë me përvojë, autoritet dhe dëshmi të vazhdueshme të profesionalizmit në futbollin kosovar.
FFK-ja duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë delegimit të gjyqtarëve në përballje të rëndësishme, duke u dhënë besimin atyre që dëshmojnë vazhdimisht se mund ta përballojnë presionin dhe përgjegjësinë e ndeshjeve të tilla.
Në fund, futbolli kosovar ka nevojë për gjykim të drejtë, vendime të qëndrueshme dhe transparencë në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve./Radio Star/










