Prishtina ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme në udhëtim, duke e mposhtur Dritën me rezultat 2:1 në përballjen e zhvilluar në Gjilan.
Mysafirët e nisën më mirë takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e 8-të me anë të Blend Baftiut.
Drita reagoi shpejt dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 19-të, kur Blerim Krasniqi dërgoi topin në rrjetë për 1:1.
Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në minutën e 52-të. Ardian Hasani realizoi golin e dytë për Prishtinën, në një aksion që fillimisht u shoqërua me dyshime për pozitë jashtë loje, por pas rishikimit nga VAR-i, goli u konfirmua.
Me këtë triumf, Prishtina forcon pozitën e parë në tabelë me 29 pikë, ndërsa Drita mbetet në pozitën e tretë me 23 pikë.
Një fitore me peshë për Prishtinën, ndërsa Drita pëson një humbje në shtëpi në përballjen e njohur si klasikja e futbollit kosovar.










