Inkubatori i bizneseve në Gjilan nuk është më vetëm një ide e mirë – ai është një domosdoshmëri urgjente për zhvillimin ekonomik lokal, nxitjen e ndërmarrësisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Në një kohë kur të rinjtë po përballen me mungesë të perspektivës, e shumë prej tyre po mendojnë të emigrojnë, është detyrë e secilit nivel vendimmarrës që të krijojë kushte për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Inkubatori i bizneseve do të shërbente si një qendër moderne, ku idetë inovative të ndërmarrësve të rinj do të mbështeteshin me hapësira pune, trajnim, mentorim profesional dhe ndërlidhje me tregun. Gjilani ka potencial të jashtëzakonshëm – qoftë për teknologji, bujqësi të përpunuar, zejtari apo shërbime – por ky potencial mbetet i pashfrytëzuar për mungesë të mbështetjes institucionale dhe strukturave konkrete si një inkubator.
Kjo nismë duhet të tejkalojë interesat partiake. Të gjithë përfaqësuesit politikë në Kuvendin Komunal, pa dallim partie, duhet ta kenë si prioritet të përbashkët ndërtimin dhe funksionalizimin e një inkubatori të tillë. Nuk ka rëndësi se kush e propozon, rëndësi ka që qytetarët të përfitojnë. Ky është një rast ku politika duhet të tregojë pjekuri, duke u bashkuar për të investuar në të ardhmen e të rinjve dhe të ekonomisë së qytetit.
Në shumë komuna të Kosovës dhe më gjerë, inkubatorët kanë rezultuar të suksesshëm në krijimin e ndërmarrjeve të reja, zhvillimin e inovacionit dhe uljen e papunësisë. Gjilani ka kapacitetin dhe resurset që një projekt i tillë të jetë model për gjithë Kosovën.
Koha për vendime të guximshme është tani. Ndërtimi i Inkubatorit të Bizneseve duhet të hyjë në buxhetin e vitit të ardhshëm dhe të shoqërohet me një strategji të qartë zhvillimi. Këshilltarët komunalë, si përfaqësues të drejtpërdrejtë të qytetarëve, kanë obligimin moral dhe institucional që këtë projekt ta shndërrojnë në realitet.
E ardhmja e Gjilanit varet nga përkrahja që sot i japim iniciativës, inovacionit dhe biznesit të ri. Le të jetë ky inkubator hapi i parë drejt një Gjilani më zhvilluar, më të fortë ekonomikisht dhe më të drejtë për të gjithë.
B.B