Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka paralajmëruar sërish Rusinë të martën, duke thënë se çdo përdorim i ndonjë arme nukleare do të ishte “gabim jashtëzakonisht serioz”, raporton agjencia AP.
Nëpër botë është rritur shqetësimi se Rusia mund të përdorë armë nukleare në Ukrainë.
Biden disa herë ka paralajmëruar Rusinë që të mos përdorë armë nukleare.
Presidenti amerikan po ashtu ka folur për basketbollisten amerikane Brittney Griner, e cila mbetet e burgosur në Rusi. Griner është dënuar me nëntë vjet burgim për drogë, ndërsa asaj të martën i është refuzuar apeli.
Biden ka thënë se SHBA-ja është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet ruse për lirimin e Grinnerit. Por, ai ka thënë se deri më tash ato angazhime nuk kanë pasur përgjigje pozitive.
“Ne nuk do të ndalemi”, tha Biden.