Faton Bislimi, veprimtar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ka thënë se politika e jashtme amerikane karshi shqiptarëve ka qenë e pandryshueshme.
Bislimi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ne jemi me fat që kemi miq të sinqertë edhe nga republikanët edhe nga demokratët në SHBA.
“Pavarësisht se fituan demokratët apo republikanët, ne do të kemi njerëz tek të cilët do ta hapim derën për t’i shtyrë kërkesat tona. Sa do të kenë ata mundësi t’i shtyjnë kërkesat tona është çështje tjetër”.
Veprimtari shqiptar në SHBA, ka thënë se është mirë që ka edhe shqiptarë që kanë kandiduar edhe si asambleistë në senatet dhe dhomat e shteteve.
“Këto zgjedhje ndikojnë edhe në mobilizimin e përgjithshëm të votuesve. Shembull unë si shqiptar i Kosovës që jetoj në SHBA, në kushte normale ndoshta unë nuk do të shkoja për të votuar, por është një Vedat Gashi, një mik i yni që është në garë në distriktin 94 për demokratët dhe më ‘detyron’ mua të shkojë në qendrën e votimit”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Bislimi ka thënë se ndonjëherë në shqiptarët bëjmë paragjykime për politikanët amerikanë në raport me Kosovën, siç mund të jetë edhe rasti me z.Bolton.
“Është keqinterpretim i skajshëm i deklaratave të z.Bolton në raport me Kosovën”, tha Bislimi./Telegrafi/