Gjuha e urrejtjes, dezinformimi, përdorimi i madh i gjuhës që nxit dhunën në rrjete sociale kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë probleme të mëdha sikurse në vendin tonë, mirëpo edhe në shtetet më të mëdha dhe më demokratike të botës siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sikurse asnjëherë më parë, më 17 qershor në SHBA nga një bashkim i disa qytetarëve dhe disa organizatave jo-qeveritare u fillua një nismë e quajtur #StopHateForProfit, pra, ndalimi i urrejtjes për përfitime pikërisht në rrjete sociale.
Instagram dhe Facebook kanë marrë kritika nga shumë kompani, brende dhe biznese të ndryshme se si nuk kanë mundur të kontrollojnë përhapjen e shfrenuar të gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave.
#StopHateForProfit dëshiron të dergojë një mesazh të fuqishëm te rrjetet sociale dhe ai është si vijon: “Fitimet e juaja nuk do të vlejnë kurrë për të promovuar urrejtje, fanatizëm, racizëm, antisemitizëm dhe dhunë”.
Kjo kampanjë mori vëmendje shumë të madhe sa edhe kompani e brende më të mëdha të botës: Coca-Cola, Microsoft dhe Starbucks janë bashkuar më qëllimin e vetëm të ndalimit të përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Këto kompani kanë bojkotuar reklamimin e tyre nëpër rrjetet sociale të lartpërmendura, me ç’rast humbjet për pronarin e Facebook, Mark Zuckerberg veçse kanë filluar. Zuckerberg ka humbur pak më shumë se 7 miliardë dollarë pasi që kësaj kampanje i’u bashkua edhe kompania e madhe Unilever.
Qëllimi i kampanjës
#StopHateForProfit ka të bëjë edhe më përfshirjen e fshirjës së postimeve të politikanëve të cilët shkelin rregullat e Facebook-ut. Së fundmi, Mark dhe ekipi i tij kanë fshirë një postim të presidentit amerikan, Donald Trump: postimi përmbante një simbol të përdorur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, simbol që kishte të bëjë me klasifikimin e të burgosurve politik në atë kohë.
Pra, kështu Facebook gjithashtu ka zgjeruar definicionin e “hate speech”, duke shtuar pikat, se asnjë reklamë nuk do të lejohet nëse etiketojnë një demografik tjetër si të rrezikshëm.
Në një takim të cilin e kishin pasur organizatat e ndryshme me të, Zuckerberg bëri të ditur për të gjithëse “nuk ka përjashtime për asnjë politikan në politikat e mia të përzgjedhura”
Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, komenton këto zvhillime në kontekstin e Kosovës.
“Meqenëse edhe bizneset tona kanë investuar në reklamimin e tyre në platformën Facebook, e duke parë se së fundmi se gjuha e urrejtjës në këtë platformë ka filluar të ashpërsohet mes politikanëve dhe përkrahësve të tyre (për fat të mirë nuk është shumë e theksuar gjuha e urrejtjes mes grupeve religjioze dhe etnike, përmes së ciles do të shkaktoheshin trazira sociale – p.sh. sikurse ngjarjet e 17 marsit 2004 në Kosovë) është mirë që të ndërmirren masat e duhura me kohë, që të parandalojnë çdo mundësi që e vë në kontrollë prezencën/evitimin e gjuhës së urrejtjës edhe në vendin tonë”.
Ai beson se bizneset tona duhet t’i bashkangjiten kësaj kampanje, dhe gjithashtu mediat tona duhet të transmetojnë aktivitete rreth kampanjës në fjalë, pasi që ato do të kishin ndikim edhe në vetëdijësimin e qytetarëve mbi ndikimet negative që ka gjuha e urrejtjes.
“Rregullimi i platformave online janë probleme globale për fushën e rregullimit të mediave, por ligji për fyerje dhe shpifje megjithatë është një mekanizëm që institucionet i adresojnë dhe trajtojnë rastet që kanë të bëjnë me gjuhen e urrejtjes”.
Një zgjidhje të cilën Latifi e mendon si të duhurën është përfshirja më e madhe e edukimit medial.
“Edukimi medial është një formë tjetër që edhe në Kosovë ka filluar të aplikohet, edhe pse jemi akoma në fazë të hershme. Pra, përmes edukimit medial qytetarëve iu mundësohet të identifikojnë se cilat janë ato media që ata duhet t’iu besojnë. Mendoj se të gjitha mediat, e në veçanti ato online, duhet t’i bashkangjiten kësaj fushate për të ndaluar mënyren e paraqitjës së gjuhës së urrejtjes duke e vënë kështu interesin publik mbi atë personal, sepse pasojat që mund të shkaktohen nga gjuha e urrejtjes janë shumë të rrezikshme (së fundmi e kemi rastin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj vrasjës së George Floyd), ku gjuha e urrejtjes me motive raciste pothuajse e ka destabilizuar gjithë rendin publik”, përfundon Latifi.
I të njejtit mendim mbi përfshirjen e bizneseve shqiptare në këtë kampanjë është edhe Granit Mavriqi, njohës i rrjeteve sociale.
“Sa më shumë kompani që i bashkohen kësaj thirrje për bojkot të kampanjave reklamuese në rrjetet sociale që menaxhohën nga Facebook aq më shumë kjo do i shtynte drejtuesit e kësaj kompanije që të ndryshojnë për të mirë në lidhje më politikat e tyre të përdorimit. Kjo do të thotë që nëse i bashkohen edhe bizneset nga Kosova kësaj thirrje kjo do të ishte një gjë e mirë, mirë po ky bojkot asnjëherë nuk mund të jetë permanent pasi që shumë biznese në Kosovë dhe në botë 100% të reklamave të tyre i lansojne vetëm në Facebook dhe Instagram. Një bojkot permanent do të çojë drejt falimentimit të këtyre bizneseve”.
Mavriqi konsideron se gazetat online në Kosovë burim të shikimeve dhe përfitimeve e kanë vetëm një rrjet social dhe ai është pikërisht Facebook. Ndalimi i reklamimit në këtë rrjet social do t’i kthehej në boomerang për të keq te këto gazeta. Rrjedhimisht, sipas tij, gazetat online në Kosovë e kanë të vështirë t’i bashkohen kësaj thirrje për bojkot.
“Deri më tani nuk kam hasur ndonjë biznes në Kosovë të cilët janë bashkuar në këtë thirrje”.
Se sa serioze është kjo kampanjë tregon edhe numri prej 750 kompanive që i janë bashkuar kësaj nisme qytetare. New York Times sjell një list e cila përmban emrat e disa bizneseve, brendeve e kompanive të njohur që i janë bashkuar kësaj kampanje: Adidas dhe Reebok, Aviva, Beam Suntory, Best Buy, Birchbox, The Body Shop, Boston Beer Company, Campbell Soup Company, Chipotle, Chobani, Clif Bar & Company, The Clorox Company, Coca-Cola, ConAgra, Consumer Reports, CVS Health, Daimler, Denny’s, Diageo, Dunkin’, Eddie Bauer, Edgewell Personal Care, Fossil, Ford, Hershey’s, HP, Honda America, JanSport, The J.M. Smucker Company, Kimberly-Clark, Kind Snacks, Lego, Levi Strauss & Company, Lululemon, Madewell, Mars Inc, Microsoft, The North Face, Patagonia, Patreon, Pfizer, Puma, REI, SAP, Sesame Workshop, Southern Poverty Law Center, Starbucks, Surfrider Foundation, Target, Truth Initiative, Unilever, Vans, Verizon, The Volkswagen Group, White Castle, Signet Jewelers.
Sipas punëtorit të marketing, Luigj Uka konsideron se sado që kjo duket si ide e mirë, iniciativa për bojkotim është shumë e dëmshme për biznese, përderisa ka audiencë shumë të madhe në to.
“Mendoj që kampanja duhet të fokusohet që të ketë ligje dhe rregulla të cilat i dënojnë promovimet e tilla si dhunë e urrejtje e jo bojkotim të atij tregu”, thotë ai.
Uka beson fuqishëm se pavarësisht politikave qe mund t’i kenë ndjekur Facebook dhe Instagram, ato kanë ofruar mundësi të nivelit të lartë të promovimit të ideve dhe bizneseve dhe janë bërë të pa shmangshme.
“Aty ku ka audiencë aty duhet edhe reklamuar, përderisa nuk ka diçka që i zëvendëson këto platforma atëherë është humbje e madhe për çdo kompani që i bashkohet kësaj kampanje. P.SH nëse 10 kompani shfrytëzojnë hapësirat reklamuese të ‘X’ ku ndodhet 10 milionë audiencë, dhe në ndër kohë 5 nga to largohen për motive të ndryshme, atëherë ato që kanë mbetur marrin dy here më shumë audience, d.m.th. përfitojnë shumëfish”, thotë ai.
Organizatorët e bojkotit kanë nisur këtë nismë me shpresën se mbajtja e presionit të kufizuar në një muaj (bojkot) do të vepronte si një mekanizëm formues dhe kështu do ta shtyente Facebook-un të bëjë ndryshime të shpejta. Kjo organizatë kishte 10 kërkesa specifike, midis tyre instalimi i një ekzekutivi të nivelit të lartë më ekspertizë për të drejtat civile, që do të bënte verifikimin e fakteve të fjalimeve së politikanëve dhe krijimin e pikave të kontaktit njerëzor për përdoruesit e Facebook-ut që përjetojnë ngacmime të bazuara në identitet.
Çfarë nënkupton përfshirja e një ekzekutivi të nivelit të lartë? Pra, përmës këtij ekzekutivi të sigurohet që politikat e një kompanie të çfarëdoshme të mos jenë kontribuese në racizëm dhe radikalizëm.
Tani duke pasur parasysh në kohën të cilën jemi, takimi mës kompanive dhe shefave të Facebook do të ndodh online dhe aty kompanitë, reklamuesit dhe agjensitë e ndryshme veçse tani po negociojnë me zyrtarët e lartë të Facebook, ndonëse shprehen se nuk janë të impresionuar gjithaq me premtimet që po u ofron Zuckerberg.