Për vetëm pak ditë, në komunën e Gjilanit janë shkaktuar dy vetëvrasje.
Të hënën e javës së kaluar një pjesëtar i Policisë kufitare të Gjilanit, B.I i mori jetën vetes në përderisa po qëndronte në një kafiteri.
B.I, 43 vjeçar bëri vetëvrasje në orët e vona të pasdites në një WC, të një prej kafiterive në lagjen Dheu i Bardhë.
Ndryshe më pas kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Jetish Malkou kishte deklaruar se oficeri 43 vjeçar kishte pasur vetëm një goditje me plumb në trupin e tij dhe se indikacionet tregojnë për dyshimin e vetëvrasjes, transmeton Indeksonline.
Pikërisht dje, kryeinfermierja e Shërbimeve Emergjente në Spitalin e Gjilanit, Xhylie Hajdari është gjetur pa shenja jete në orët e para të mëngjesit.
Sipas deklaratës së zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, dyshohet për vetëvrasje.
Hajdari ndër të tjerash kishte qenë edhe sekretare e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilani, kurse në vitin 2013 kishte kandiduar edhe për asamble të komunës.
Ndryshe drejtori i Spitalit Regjional të Gjilanit, Nisret Hajrullahu ka thënë se Hajdari nuk është dërguar në Spitalin Regjional të Gjilanit pra në Emergjencë.
“Ajo nuk është sjellë në Spitalin Regjional të Gjilanit pra në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar Qendra e Mjekësisë Familjare edhe për ma tutje nuk e di. Është motër kryesore e Emergjencës dhe kjo është informata që kemi. Ka qenë një motër e cila ka qenë një organizatore e mirë e punës dhe e cila ka punuar me zell kurse për detajet tjera ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Hajrullahu.