Është caktuar seanca e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit, i cili përballet me aktakuzë për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se seanca do të mbahet më 7 shtator nga ora 09:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Fatmir Sheholli dyshohet se ishte rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA) dhe vepronte nën urdhrat e zyrtarit të saj, Bojan Dimiq.
Prokuroria pretendon se Sheholli, nga Kosova, mblidhte dhe përcillte informacione për institucionet, aktivitetet politike dhe gjendjen e sigurisë në vend. Këto informacione, sipas aktakuzës, ia dërgonte Dimiqit përmes telefonit, ndërsa i përcillte edhe dokumente që konsideroheshin me interes për shërbimin serb.
Në kuadër të hetimeve, Sheholli dyshohet se kishte planifikuar edhe takime me persona të kërkuar nga drejtësia në Kosovë. Sipas dosjes së prokurorisë, ai u takua në veri të Mitrovicës me Milan Radoiçiqin. Në një bisedë të zhvilluar në një zyrë pranë restorantit “Gray”, Sheholli, sipas aktakuzës, pranoi se punonte për shërbimin sekret serb. Aktakuza nuk përcakton saktësisht datën e këtij takimi.
Prokuroria thotë se në kuadër të provave janë edhe transkriptet e bisedave, shënimet nga fletorja e Shehollit, si dhe dokumente identifikimi të Serbisë që iu gjetën atij. Sipas hetuesve, shënimet në fletore përmbanin të dhëna që lidhen me veprimtari të dyshuara të spiunazhit.
Në një rast tjetër, sipas aktakuzës, Sheholli mori 5 mijë euro gjatë një takimi në veri të Mitrovicës. Në këmbim, ai dyshohet se pranoi materiale që duhej të publikoheshin kundër ministrit Nenad Rashiq. Komunikimi për marrjen e parave, sipas prokurorisë, bëhej përmes kodeve.
Në mesin e mijëra fotografive të gjetura në pajisjet e tij, hetuesit kanë identifikuar edhe materiale që lidhen me një plan për çështjet fetare. Sipas aktakuzës, ky plan parashihte angazhime që do të financoheshin nga ambasadat islamike të Serbisë dhe ishte ruajtur si material konfidencial.
Prokuroria nuk ka përcaktuar se kur saktësisht Sheholli ishte rekrutuar nga BIA. Megjithatë, sipas aktakuzës, ai dyshohet se e kreu këtë veprimtari deri më 9 tetor 2025, kur u arrestua.
Nga hetimet, prokuroria pretendon se është zbuluar edhe një rast i dyshuar i shantazhit. Sheholli akuzohet se për rreth tre vjet i kishte marrë një biznesmeni gjithsej 13 mijë euro.

