Prishtinë- Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku avokati Hamdi Jashari akuzohet se ka pranuar shumën prej 8 mijë euro për të ndikuar te kolegji i gjyqtarëve lidhur me vendimmarrjen për ekstradimin e një klienti të tij, u administruan si prova materiale dy video-incizime të cilat u lëshuan për t’u dëgjuar, ku pretendohet se i akuzuari pranon një shumë të parave.
Sipas prokurorit të rastit, Bashkim Zeqaj, në këto video-incizime formësohet vepra penale e ushtrimit të ndikimit, përmes veprime të ndërmarra nga i akuzuari Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Zeqaj tha se në emër të ushtrimit të ndikimit, Jashari ka kërkuar paratë në shumën afro 4 mijë euro.
“Në këto dy video-incizime vërtetohet se si i pandehuri kërkon para dhe në pjesën e fundit edhe pranon para në emër të trupit gjykues”, u shpreh prokurori.
Më tutje, Zeqaj shtoi se në biseda dëgjohet fjala “premtim” dhe “lirim nga paraburgimi”, dhe “marrje e parave në emër të ndikimit te trupi gjykues”.
“Po ashtu kemi lexuar fjalët të cilat e inkorporojnë të pandehurin thellësisht në vepër penale, e dëgjuar fjalët nesër e lëshon prej paraburgimit Avni Ajrullit, e dëgjuar fjalën premtim që është formë e kryerjes së veprës penale dhe shumë fjalë të tjerat të cilat i pandehuri në këto video-incizime i kërkon dhe pranon shumën e parave për të ndikuar te trupi gjykues”, tha Zeqaj.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Jasharit, avokati Shemsedin Piraj propozoi video-icizimet të shpallen si prova të paparanueshme për faktin se nuk dihet se përmes cilës rrugë janë siguruar.
Në anën tjetër, vetë i akuzuari Jashari tha se mungon ekspertiza digjitale për të kuptuar se përmes cilës pajisje janë bërë video-incizimet, se nuk dihet burimi i transferit të videos.
Gjithashtu, Jashari shtoi se është e çuditshme edhe koha kur ky video-incizim është dorëzuar nga i dëmtuari Veli Kryeziu.
Më pas, prokurori tha se një propozim i tillë duhet të refuzohet për faktin se Apeli ka vlerësuar në fazë të kundërshtimit të provave se video-incizimet janë marrë dhe siguruar përmes rrugëve të ligjshme. Tha se ato janë dorëzuar në Polici nga vetë i dëmtuari Kryeziu.
Lidhur me këtë propozim, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Naser Foniqi refuzoi propozimin e mbrojtjes që kjo provë të shpallet e papranueshme.
Më pas, seanca u ndërpre për të vazhduar gjatë muajve të ardhshëm.
Avokati Jashari më 23 janar 2024 ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se kishte pranuar 8 mijë euro për të ndikuar te gjyqtarët.
Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë ndaj Jasharit dhe e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtësit të Jasharit për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e akuzës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 1 dhjetor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Hamdi Jasharit të cilin e ngarkon për ushtrim ndikimi.
Sipas aktakuzës së ngritur më me 1 dhjetor 2023, i pandehuri Jashari në cilësi të avokatit mbrojtës të dënuarit-kërkuarit Avni Ajruli nga 25 maj 2022 deri më 2 qershor 2022, ka kërkuar drejtpërdrejt dhe pranuar para në shumë prej 8 mijë euro nga Ilmi Ajruli, vëllai i Avniut, me qëllim që i njëjti t’ia japë këtë shumë të parave kolegjit të gjyqtarëve Naser Maliqi, kryetar i kolegjit dhe anëtarëve Aziz Sheqiri dhe Veli Kryeziu.
Në aktakuzë thuhet se, këto mjete janë dhënë të akuzuarit me qëllim që të njëjtit të ushtrojnë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e tyre në çështjen penale sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan për ekstradimin e të dënuarit Avni Ajruli për shkak të veprës penale “Vrasje”, sipas nenit 123 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilin person e kërkonte shteti në fjalë për ekstradim, e që një kërkesë e tillë të refuzohet nga kolegji i lartcekur.
https://www.facebook.com/share/v/1CR1ZDx2vs/?mibextid=wwXIfr
Me këto veprime, i akuzuari Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, nga neni 424, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

