Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vdekjes së tre punëtorëve të KEK-ut brenda një periudhe më të shkurtër se dy muaj.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka shprehur ngushëllime për familjet e punëtorëve që humbën jetën në vendin e punës, duke theksuar se tri familje janë prekur përgjithmonë nga këto tragjedi.
Ajo ka kërkuar nga organet përgjegjëse që rastet të hetohen në mënyrë serioze dhe të sqarohen rrethanat në të cilat kanë ndodhur, transmeton Klankosova.tv.
“Njëherit kërkoj nga organet përgjegjëse që këto raste të hetohen seriozisht, të sqarohen rrethanat në të cilat kanë ndodhur dhe nëse ka pasur neglizhencë apo shkelje të rregullave të sigurisë, të ketë përgjegjësi për secilin”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka kërkuar gjithashtu që KEK-u dhe kompanitë e tjera, publike e private, të rrisin masat për sigurinë dhe përmirësimin e kushteve të punës.
“Inspektorati Qendror i Punës duhet ta rrisë mbikëqyrjen dhe të ndërmarrë masa konkrete që raste të tilla të mos përsëriten”, ka shkruar deputetja, transmeton Klankosova.tv.

