Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, është krenuar se për vite me radhë ka udhëtuar me autobus për punë, duke thënë se ajo është “deputetja e autobusit”.
Ndonëse u ankua se nuk mori lavdata publike për këtë, Mullhaxha – Kollçaku figuron në listën e deputetëve që i kompensuan për shpenzimet e udhëtimit, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas raporteve të publikuara sot nga Kuvendi i Kosovës, deputetja e VV-së nga viti 2017 ka marrë nga buxheti i vendit hiq më pak se 9 mijë e 330 euro, vetëm për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit me autobus.
Një ditë më parë, në një emision në ATV, deputetja Kollçaku ka thënë se ka udhëtuar me vite nga Peja për në Prishtinë dhe anasjelltas dhe se të gjithë kondukterët e shoferët janë dëshmitarë për këtë.
“Unë kam udhëtu Pejë-Prishtinë me vite. Unë jam qajo deputetja e autobusit. Dmth këtë e dinë gjithë kondukterat e shoferat që Fatmire Kollçaku ka udhëtu në baza ditore Pejë-Prishtinë dhe diskutoja me gjysmën e autobusit dhe pastaj gjysmën e çështjeve i ngritsha në Kuvend nga ato çfarë kam dëgju nga udhëtarët”, ka thënë Kollçaku në një bashkëbisedim me autoren Adelina Ismajli.
“Nuk e kam përjetu kurrë lavdatën publike që kam udhëtu ndër vite me autobus”, ka thënë tutje ajo.
Shpenzimet e Fatmire Mullhaxha-Kollçaku ndër vite:
Janar-dhjetor 2021; 1980 euro
Janar-dhjetor 2020; 1950 euro
Janar-dhjetor 2019; 1800 euro
Janar-dhjetor 2018; 3090 euro
Gusht-dhjetor 2017; 510 euro.