Pas fillimit të vitit të ri shkollor më 1 shtator, Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, z. Jeton Rexhepi, ka vazhduar vizitat në institucionet arsimore të Komunës së Gjilanit, me qëllim të përcjelljes nga afër të mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe të adresimit të nevojave të shkollave.
Gjatë këtyre vizitave janë vlerësuar nga afër kushtet në institucionet arsimore, funksionaliteti i tyre, nevojat e nxënësve dhe mësimdhënësve, si dhe çështjet që kërkojnë ndërhyrje dhe mbështetje nga Drejtoria Komunale e Arsimit.
Qasja e DKA-së mbetet e orientuar drejt pranisë së vazhdueshme në terren, dëgjimit të drejtpërdrejtë të nevojave të shkollave dhe ndërmarrjes së masave konkrete për krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.
Në kuadër të mbështetjes konkrete për nxënësit, DKA Gjilan, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka siguruar një donacion prej rreth 20 mijë fletoreve, të cilat do t’u shpërndahen nxënësve të institucioneve arsimore të Komunës së Gjilanit.
Ky donacion përbën një kontribut të drejtpërdrejtë në mbështetje të nxënësve dhe familjeve të tyre dhe dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit institucional në funksion të arsimit.
Drejtori i DKA-së, z. Jeton Rexhepi, shpreh mirënjohje të veçantë për Doganën e Kosovës për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në mbështetje të nxënësve dhe arsimit në Komunën e Gjilanit.
Me përkushtim, bashkëpunim dhe prani të vazhdueshme pranë shkollave, Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore dhe për një proces mësimor sa më cilësor.









