Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se projekti për Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve po hyn në fazën finale.
Pas pranimit të projektit të dorëzuar nga OVL-UÇK, dega në Gjilan, Komuna e Gjilanit pritet që së shpejti të nisë punimet në terren, me qëllim përfundimin dhe realizimin e këtij projekti.
Hyseni ka vlerësuar bashkëpunimin me kryetarin e OVL-UÇK-së në Gjilan, Xhevdet Mehmeti, si dhe me kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Rashit Ymeri, duke theksuar angazhimin e tyre në funksion të realizimit të projektit.
Sipas tij, përfundimi i Kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve përbën një obligim institucional dhe moral ndaj dëshmorëve dhe familjeve të tyre, në mënyrë që sakrifica e tyre për lirinë e Kosovës të nderohet dhe ruhet me dinjitet.









