Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ka folur edhe për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Ajo tha se në Kosovë do të bëhet reformë në drejtësi, investime dhe se do të ketë sundim të ligjit, duke shtuar se këtë e kanë kërkuar qytetarët me votën e tyre, njofton Klan Kosova.
“Raporti i UNMIK është vetëm një javë pas krijimit të Qeverisë sonë të re. Shumica ka votuar që të çlirojë veten nga korrupsioni dhe krimi. Jemi në një udhëtim për të përmbushur vullnetin dhe kërkesat e popullit tonë, për ta bërë vendin tonë të ri plotësisht të njohur ku sundimi i ligjit dhe demokracia funksionojnë”.
Gërvalla, duke thënë se Kosova po vazhdon luftën e saj kundër pandemisë, ka falënderuar miqtë ndërkombëtarë që po e ndihmojnë vendin në sigurimin e vaksinave.
“Njëkohësisht me pandeminë po përgatitemi për implementimin e kësaj epoke me një sërë çështje që të lëmë një epokë të korruptuar prapa. Po përgatitemi për reforma në drejtësi, investime dhe sundim të ligjit në vend të korrupsionit në një shoqëri me mendësi europiane. Njerëzit na kanë dhënë besimin e këtij ndryshimi historik dhe jemi të përkushtuar ta zbatojmë atë”.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Gërvalla ka thënë se në Qeverinë e re ka njerëz me kurajo dhe mendje të hapur që s’frikësohen të adresojnë periudhën e dhimbshme të vendit.