KUR FRIKA NUK ËSHTË MË KUFIRI, ÇFARË E NDALON NJERIUN?
Në shoqërinë tonë, dhuna fizike është ndaluar dhe kufizuar gjithnjë e më shumë në shkolla, familje, institucione, burgje dhe në raportet mes njerëzve. Ky është një progres i domosdoshëm civilizues. Askush nuk duhet të poshtërohet, të abuzohet apo të ushtrohet dhunë ndaj tij.
Por ekziston një pyetje që rrallë e shtrojmë:
A kemi arritur ta zëvendësojmë autoritetin e frikës me autoritetin e ndërgjegjes?
Në psikologjinë e sjelljes, frika nga pasojat mund të funksionojë si frenues i impulsit. Megjithatë, kur individi nuk ka zhvilluar vetëkontroll të mjaftueshëm, tolerancë ndaj frustrimit, aftësi për rregullimin emocional dhe respekt për kufijtë e tjetrit, heqja e një mekanizmi të jashtëm kontrolli, pa krijuar mekanizma të brendshëm, mund të lërë hapësirë për sjellje impulsive, agresive dhe destruktive.
Egoja, dëshira për dominim, intoleranca ndaj refuzimit, impulsiviteti dhe mungesa e përgjegjësisë nuk zhduken vetëm sepse ndëshkimi fizik është ndaluar.
Ndalimi i dhunës nuk duhet të nënkuptojë dobësimin e autoritetit.
Mbrojtja e dinjitetit nuk duhet të nënkuptojë tolerimin e sjelljeve destruktive.
Trajtimi human nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e kufijve.
Një shoqëri e shëndetshme nuk është ajo që frikëson njerëzit për t’i mbajtur nën kontroll, por as ajo që i heq kufijtë pa ndërtuar përgjegjësi.
Ne kemi nevojë për institucione që nuk ushtrojnë dhunë, por që kanë autoritet. Për familje që nuk traumatizojnë, por edukojnë. Për shkolla që nuk poshtërojnë, por vendosin kufij. Dhe për një sistem të shëndetit mendor që nuk ndërhyn vetëm pasi sjellja destruktive ka marrë përmasa të rënda, por edhe në parandalim, edukim dhe trajtim.
Frika mund ta frenojë sjelljen. Por kur frika largohet, duhet të ekzistojë diçka më e fortë: vetëkontrolli, ndërgjegjja dhe përgjegjësia.
Nëse nuk i ndërtojmë këto, rrezikojmë të krijojmë një shoqëri ku kërkojmë respekt, por nuk kultivojmë përgjegjësi; kërkojmë tolerancë, por nuk vendosim kufij,ndalojmë dhunën, por nuk merremi mjaftueshëm me shkaqet e sjelljeve destruktive.
Një shoqëri nuk matet vetëm me atë se sa dhunën e ndalon, por edhe me atë se sa njerëz arrin t’ii mësojë të vetëkontrollohen edhe kur askush nuk i kontrollon!










