Një rast i ngacmimit seksual dyshohet se ka ndodhur në Damian të Gjakovës.
Raportohet se Drejtori i shkollës “Pjetër Bogdani”, Nazmi Pnishi e ka ngacmuar një vajzë të mitur.
Lidhur me rastin për Gazetën Online Reporteri.net, janë deklaruar nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.
“Policia e Kosovës dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, janë duke u ndërmarrë veprimet dhe verifikimet e nevojshme lidhur me këto informacione. Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, tha për Reporteri.net, zëdhënësi i kësaj prokurorie, Drin Domi.
Emisioni “Piranjat” ka raportuar se si Pnishi i ka dërguar 17-vjeçares tekste me përmbajtje erotike.
Ai shihet se i ka dërguar të miturës edhe fotografi dhe video +18. Në bisedat e publikuara shihet se ai i ka kërkuar disa herë që të takohen, teksa i ka dërguar video nga zyra e tij në shkollë.
njëjti më pas ka dalë edhe në takim duke menduar se po takohej me të miturën, por që aty e ka pritur ekipi i emisionit. Pasi e ka marrë vesh se gruaja që i ka shkuar në takim është gazetare, i njëjti ka dalë nga lokali duke vrapuar.
I njëjti, siç tregon vetë, është i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Për rastin ka reaguar edhe Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini i cili ka bërë të ditur se Drejtori Nazmi Pnishi është pezulluar menjëherë nga kjo pozitë.
“Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor”, thuhet në reagimin e Gjinit. /Reporteri.net/

