Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Flakron Rexhepi, ka bërë të ditur se projekti i Bulevardit dhe Administratës së re Komunale ka hyrë zyrtarisht në fazën më intensive të ndërtimit, duke e cilësuar atë si transformimin më të madh urban në historinë e qytetit.
Sipas Rexhepit, pas përfundimit me sukses të të gjitha ndërhyrjeve të para infrastrukturore dhe përgatitjes së plotë të brezit qendror, punimet tashmë po zhvillohen me dinamikë të lartë në terren.
Ai theksoi se Drejtoria e Urbanizmit ka përmbyllur të gjitha koordinimet administrative dhe teknike të nevojshme, duke siguruar që realizimi i projektit të ecë sipas planifikimeve të parapara që nga fillimi.
“Ky investim prej rreth 18 milionë eurosh është dëshmi e përkushtimit tonë për një Gjilan modern, me hapësira të gjelbra, parkingje nëntokësore dhe infrastrukturë të standardeve evropiane”, u shpreh Rexhepi.
Drejtori i Urbanizmit falënderoi ekipin profesional të drejtorisë për menaxhimin e procesit, ndërsa shtoi se, pavarësisht kritikave dhe tentativave politike për ta penguar projektin, puna do të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
“Vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi drejt finales së këtij suksesi të madh”, përfundoi ai.


