Një grua dhe një fëmijë dyvjeçar kanë humbur jetën në aksidentin e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së premtes, rreth orës 18:00, në rrugën ndërmjet Bujanocit dhe Sërpska Kuçës, në drejtim të Vranjës.
Jo zyrtarisht mësohet se viktimat janë gjyshja dhe fëmija, ndërsa nëna e fëmijës ka pësuar lëndime. Të tre ndodheshin në të njëjtën veturë. Në aksident janë lënduar edhe persona të tjerë, të cilët janë transportuar për trajtim në Qendrën Shëndetësore në Vranjë.
Informacionet e para tregojnë se në aksident janë përfshirë dy vetura. Policia po heton rrethanat e përplasjes.
Pas aksidentit, qarkullimi në këtë rrugë ishte ndërprerë dhe automjetet po devijoheshin në rrugë alternative. Ende nuk kemi konfirmim nëse qarkullimi është rikthyer. /Spektri/










