Pas akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës – Dega në Gjilan, e cila kritikoi institucionet komunale për, siç tha, neglizhencë në përvjetorin e heroit kombëtar Abdullah Tahiri, ka reaguar Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit. Kjo e fundit i ka cilësuar deklaratat e PDK-së si të pasakta dhe të pabazuara.
Në reagimin zyrtar, Drejtoria thekson se Komuna e Gjilanit ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahëse e organizatave të dala nga lufta, duke ruajtur respektin institucional ndaj figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në bashkëpunim të plotë dhe në koordinim me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, nesër do të mbahen homazhe për nder të dëshmorëve të kombit: Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli dhe Arben Ramadani. Këto aktivitete janë pjesë e kalendarit zyrtar të Drejtorisë për Kulturë dhe organizohen në mënyrë institucionale, me respekt të plotë për sakrificën e dëshmorëve dhe familjet e tyre,” thuhet në komunikatë.
Kjo deklaratë vjen si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve të opozitës, e cila kishte kritikuar mosorganizimin e duhur për nder të një prej figurave kyçe të luftës çlirimtare në Anamoravë.
Në fund, Drejtoria për Kulturë bën thirrje që çështjet që lidhen me dëshmorët të mos politizohen dhe përvjetorët e tyre të trajtohen me dinjitet, respekt dhe unitet institucional./Radio Star/