Sot, do të mbyllet xhiro e 17-të e Superligës së Kosovës në futboll, me tri ndeshje, që të trija tejet interesante.
Të tri ndeshjet mund të quhen derbi për shkak të formës dhe synimeve të skuadrave që i kanë këtë sezon në Superligë.
Të gjitha ndeshjet startojnë në orën 13:00, por vëmendja do të jetë në qytetin e Gjilanit, saktësisht derbin e Anamoravës, ndërmjet Dritës dhe Gjilanit.
Sigurisht, kampionia në fuqi, Drita vlerësohet favorite por edhe është e ngarkuar dhe e lodhur për shkak të angazhimeve edhe në Ligën e Konferencës.
Drita është e pesta në tabelë me 24 pikë, dy më shumë se Gjilani, ekip që xhirot e fundit ka treguar formë të mirë në Superligë.
Lideri aktual i Superligës, Ballkani e pret në Suharekë skuadrën e Prishtinës që nën drejtimin e Afrim Tovërlanit ende nuk di për fitore në kampionat.
Ballkani prinë në tabelë me 29 pikë, dy më shumë se skuadra e Prishtinës që do të udhëtojë drejt Suharekës për fitore.
Ndërkohë, përballja tjetër, do të jetë ajo ndërmjet Llapit dhe Malishevës, skuadra me forma të ndryshme.
Llapi nuk di për fitore në dy xhirot e fundit, ndërsa Malisheva ka tri fitore në po aq ndeshje nën urdhërat e trajnerit Elon Berisha.
Llapi me 20 pikë zë vendin e shtatë në tabelë, ndërsa Malisheva është e katërta me 25 pikë të grumbulluara.

