Nesër nis sezoni i ri pranveror në Superligën e Kosovës, dhe skuadra e Dritës do të luajë si vendas ndaj Malishevës në stadiumin ndihmës me bari sintetik në Gjilan, me fillim nga ora 12:00.
Drita, e cila përfundoi kampionatin vjeshtor me 40 pikë në 18 xhirot e para, është përgatitur intensivisht për këtë fazë të dytë të sezonit. Gjatë pushimit dimëror, skuadra e Zekirija Ramadanit ka zhvilluar fazën përgatitore në Turqi, ku ka luajtur disa ndeshje miqësore për të përmirësuar formën e ekipit.
Nga ana tjetër, Malisheva ka qenë në formë të shkëlqyer gjatë gjysmës së parë të kampionatit dhe ka mbyllur sezonin e vjeshtës në vendin e tretë në tabelë. Për Dritën, kjo do të jetë një ndeshje e vështirë dhe nesër kërkon fitore për të vazhduar formën e mirë dhe për të siguruar tri pikët e para për këtë vit.