FC Drita ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj KF Dukagjinit, duke triumfuar me rezultat 2–1 në Klinë.
Ndeshja u zhvillua me ritëm të lartë, veçanërisht në pjesën e parë, ku skuadra gjilanase ishte më konkrete në fazën ofensive. Drita e zhbllokoi rezultatin në minutën e 33-të, kur Blerim Krasniqi realizoi për 0–1 pas asistimit të Liridon Balajt.
Me të nisur pjesa e dytë, Drita vazhdoi të kërkonte golin e dytë dhe e gjeti atë përmes Besnik Krasniqit, i cili e dyfishoi epërsinë e mysafirëve në 0–2.
Dukagjini nuk u dorëzua dhe arriti ta ngushtojë epërsinë. Pas një kombinimi në zonën e rreptësisë, Dienit Isufi, ish-futbollist i Dritës, realizoi për 1–2, duke rikthyer emocionet në minutat e fundit të takimit.
Megjithatë, Drita arriti ta menaxhojë avantazhin deri në fund dhe nga Klina kthehet me tri pikë të plota, në një fitore që i jep skuadrës gjilanase vazhdimësi dhe besim për ndeshjet e ardhshme.
Pas kësaj fitoreje, Drita do të ketë një tjetër përballje të rëndësishme në Gjilan, ku pas dy javësh do të presë FC Ballkanin./Radio Star/










