Dy vite e tetë muaj, ose saktësisht 974 ditë, zgjati rrugëtimi i trajnerit Zekirija Ramadani në krye të FC Drita, një periudhë që do të mbetet ndër më të suksesshmet në historinë e klubit.
Gjatë këtij cikli, strategu shkupjan drejtoi skuadrën në 129 ndeshje zyrtare, duke regjistruar 68 fitore, 25 barazime dhe 36 humbje, statistika që pasqyrojnë stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Dritës në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
Nën drejtimin e Ramadanit, Drita arriti të fitojë dy tituj kampioni të Kosovës dhe një Superkupë të Kosovës, duke konfirmuar dominimin në futbollin kosovar. Megjithatë, arritja më e madhe mbetet suksesi historik në garat evropiane, ku Drita u bë skuadra e parë nga Kosova që siguroi kualifikimin në fazën e ligës së Ligës së Konferencës, duke vendosur një standard të ri për futbollin kosovar në skenën ndërkombëtare.
Me përfundimin e këtij kapitulli, Zekirija Ramadani largohet duke lënë pas një trashëgimi të mbushur me trofe, rekorde dhe një vend të veçantë në historinë e FC Dritës.

