Eliminimi i Dritës nga Zalgirisi në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nuk ishte vetëm një goditje në aspektin sportiv, por edhe një humbje e konsiderueshme financiare për kampionin e Kosovës.
Në rast të kualifikimit, skuadra gjilanase do ta siguronte pjesëmarrjen në fazën “play-off” të UEFA Conference League, duke garantuar të paktën 1.7 milionë euro të ardhura nga garat evropiane.
Megjithatë, pas humbjes ndaj kampionit të Lituanisë, Drita mbetet me rreth 600 mijë euro të sigurta nga shpërblimet e UEFA-s dhe do ta vazhdojë rrugëtimin në raundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League, ku do të kërkojë të mbajë gjallë ëndrrën evropiane.
Rezultatet e deritanishme të skuadrave kosovare në garat evropiane nuk kanë qenë inkurajuese. Në katër ndeshjet e zhvilluara deri më tani, ekipet nga Kosova kanë regjistruar dy barazime dhe dy humbje, pa arritur ende asnjë fitore.
Këto rezultate po ndikojnë edhe në koeficientin e futbollit kosovar në UEFA, i cili rrezikon të pësojë rënie, duke e bërë edhe më të vështirë rrugëtimin e klubeve në edicionet e ardhshme të garave evropiane.
Tashmë mbetet të shihet nëse Drita dhe klubet e tjera kosovare do të arrijnë të përmirësojnë bilancin në ndeshjet e ardhshme dhe të rikthejnë rezultatet pozitive në skenën ndërkombëtare.

