Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, për të cilët tha se janë “dy miq të çmuar të Kosovës”.
Abdixhiku tha se në këtë takim e ka potencuar nevojën për rikthimin e dialogut strategjik, të cilin e kishte pezulluar SHBA.
“I falënderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe për kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë. Në takim theksova nevojën për rikthimin në Dialogun Strategjik me SHBA-në. Kosovës i duhet ta forcojë besimin dhe bashkëpunimin me aleatin e saj më të rëndësishëm. Kjo kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe veprime konkrete”.
Abdixhiku tha se për LDK-në, miqësia me Amerikën është pjesë e identitetit të tyre.
“Ta ruajmë e ta forcojmë këtë miqësi është detyrë e përhershme”.










