Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka ndaluar për 48 orë tre persona të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit”.
Sipas Sistemit Prokurorial, dy nga të ndaluarit janë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, njëri në Divizionin për të Huaj dhe tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).
Ata dyshohen se kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa personi i tretë dyshohet për falsifikim të dokumenteve për t’ua mundësuar të tjerëve pajisjen me leje qëndrimi.
Prokuroria ka bërë të ditur se do të shqyrtojë mundësinë e kërkimit të masave të sigurisë ndaj të dyshuarve.
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë ndalon tre persona për veprat penale ‘’Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Falsifikimi i dokumentit’’
Prishtinë, 22 Korrik 2026- Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas zhvillimit të hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tre (3) persona për 48 orë.
Nga personat e ndaluar, dy (2) janë në cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Njëri prej tyre zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri është zyrtar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).
Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare, të dyshuarit me inicialet F.Sh., dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘’Falsfikimi i dokumentit’’, nga neni 390 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, nga hetimet e deritanishme rezulton se të dyshuarit F. Sh., dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë dyshohen, se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërkaq, i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’iu mundësojë personave të tjerë të aplikojnë dhe të pajisen në mënyrë të kundërligjshme me leje qendrimi në Republikën e Kosovës.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për paraqitjen e kërkesës për caktimin e ndonjerën prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik, garantimin e sundimit të ligjit dhe mbrotjen e interesit publik.

