Prindërit mbledhin para për klimat në klasat e “Musa Zajmit” në Gjilan: “Kushtet për nxënësit duhet t’i sigurojë DKA-ja”
Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Musa Zajmi” në Gjilan, prindërve u është kërkuar të kontribuojnë me mjete financiare për blerjen dhe vendosjen e klimave nëpër klasa.
Një prind, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka shprehur shqetësimin e tij për këtë praktikë, duke e konsideruar të papranueshme që sigurimi i kushteve elementare për zhvillimin e procesit mësimor të mbetet barrë e prindërve.
Sipas tij, përgjegjësia për krijimin e kushteve të përshtatshme në institucionet arsimore i takon institucioneve, përkatësisht Drejtorisë së Arsimit në Gjilan dhe Komunës, e jo prindërve.
“Është e papranueshme që prindërit të detyrohen të mbledhin para për blerjen e klimave. Fëmijët duhet të kenë kushte të mira në shkollë dhe këto kushte duhet t’i sigurojë DKA-ja. Nuk është detyrë e prindërve të financojnë nevojat bazë të shkollës”, ka deklaruar prindi.
Ky rast ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si po adresohen nevojat infrastrukturore dhe kushtet e punës në shkollat e Komunës së Gjilanit.
A është e informuar Drejtoria e Arsimit për mbledhjen e këtyre mjeteve? Kush e ka kërkuar këtë kontribut nga prindërit dhe pse një nevojë e tillë nuk është përfshirë në planifikimin institucional?
Radio Star do të kërkojë përgjigje nga Drejtoria e Arsimit dhe institucionet përgjegjëse lidhur me këtë çështje./Radio Star/










