Eksperti i Sky Sport Austria, Marko Stankovic, ka kritikuar ashpër gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, pas barazimit 1:1 mes Kosovës dhe Austrisë.
Stankovic e cilësoi terrenin si një “livadh lopësh”, por tha se gjendja e fushës nuk mund të shërbejë si arsyetim për paraqitjen e dobët të Austrisë.
“Fusha ishte mizerabël, një ‘livadh lopësh’ i vërtetë. Por, sipas meje, kjo është ekzagjeruar shumë. Austria në Kosovë nuk arriti të bëjë dy pasime radhazi. Por pse ia doli Zhegrova – lojtari i Kosovës që luan te Juventusi?”, deklaroi ai.
Eksperti austriak tha se lojtarët e përfaqësueses së tij duhet të kishin kërkuar më shumë nga vetja, pavarësisht kushteve të terrenit.
“Duhet ta besosh, duhet ta kërkosh nga lojtarët dhe duhet ta duash këtë gjë”, u shpreh Stankovic.
Kosova kaloi në epërsi me golin e Fisnik Asllanit, ndërsa Christoph Lang barazoi rezultatin në minutën e 85-të, duke i siguruar Austrisë një pikë.


