Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë të fillojë mësimi, raporton Gazeta10.
Hoxha ka thënë se duhet të gjendje një zgjidhje që të mbyllet kjo grevë dhe që fëmijët të kthehen në shkolla.
“Sesioni vjeshtor i ynë këtu në Kuvend filloi pikërisht me debatin për grevën për dy javë radhazi për të gjetur zgjidhje por që as rezoluta e këtij debati e cila thërret qeverinë e Kosovës dhe SBASHK-un që të gjejnë një zgjidhje që greva të mbyllet, t’i përafrojnë qëndrimet, t’i japin përfundim kësaj sage e mbi të gjitha mbi 300 mijë fëmijë të kthehen në banka shkollore”, tha në konferencë për media Eliza Hoxha.
Tutje, Hoxha ka thënë se qeveria është e pavullnetshme për ta gjetur një zgjidhje në favor të të dyja palëve.
“E përderisa mendoj që kjo ka qenë një javë vendimtare ose mund të ketë qenë një javë vendimtare për gjetjen e zgjidhjes sepse edhe në Komisionin për Arsim dhe Kulturë tentuam që të kemi diskutim kushtimisht ta them por që edhe dje, në fakt pardje dhe sot në Komisionin për Arsim dhe Kulturë u pa sa e pavullnetshme dhe sa jo e gatshme është qeveria e Kosovës për të gjetur një zgjidhje në favor të dyja palëve”.
Hoxha ka thënë se ky pushtet aq që po shqetësohet për këtë problem.
“Praktikisht, nëse e shikojmë në aspektin e ndjeshmërisë dhe përjetimeve që i kemi pasur këto ditë duke qenë pjesë e debateve të tilla, kjo qeveri nuk shqetësohet fare për këta fëmijë që nuk shkojnë në shkollë.”
Më tej, Hoxha, ka thënë se trajtimi i këtij problemi deri më tani ka qenë me përbuzje, ofendime dhe përçarje.
“Njëkohësisht krejt çka kemi parë deri sot nga kjo qeveri është në përkëmbje e vazhdueshme e dinjitetit të mësimdhënësit. Përbuzje, ofendime, përçarje dhe pikërisht kjo lloj gjuhe, kjo lloj qasjeje nuk mund të jetë në funksion të gjetjes së zgjidhjes andaj sot nga këtu e ftoj kryeministrin e Kosovës z. Kurtin, ministrin e Arsimit z. Nagavci, ministrin e Financave z. Murati, që të ulen me urgjencë gjatë javës, që ta gjejnë një zgjidhje që mësimi të fillojë të hënën që fëmijët e Kosovës të hënën të jenë në bankat shkollore. Faleminderit!”. / Gazeta10