Fadil Ademi ka dhënë një shembull të mirë qytetar duke pastruar mbeturinat e hedhura në hapësirat përreth Kalasë së Pogragjës, një prej atraksioneve më të njohura natyrore dhe historike të Anamoravës.
Përmes një postimi, ai bëri të ditur se pasditen e sotme ka ndërmarrë një veprim simbolik për të kontribuar në ruajtjen e pastërtisë së kësaj zone, duke mbledhur mbeturinat e lëna nga vizitorët.
“Bëra një veprim të vogël për ta ruajtur këtë natyrë të bukur. Mblodha mbeturinat që ishin lënë aty, me shpresën që ky gjest të na kujtojë të gjithëve sa e rëndësishme është të kujdesemi për vendin tonë”, ka shkruar Ademi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që secili të japë kontributin e vet, sado i vogël qoftë, për ta mbajtur të pastër mjedisin dhe për të ruajtur bukuritë natyrore.
“Ta duam, ta ruajmë dhe ta respektojmë natyrën, sepse është pasuria jonë e përbashkët”, është mesazhi që përcolli ai, duke shprehur shpresën që pamje me mbeturina në vende turistike të mos përsëriten më.

