Avokati Asdren Hoxha të martën pas përfundimit të seancës për të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, është parë teksa kërkon nga zyrtari ligjor i gjykatës që emri i tij të futet si avokat në procesverbal.
Kërkesa e tij ishte si avokat i dytë për të dyshuarin, Blagoje Spasojeviq.
Avokati Hoxha është kontaktuar për ta konfirmuar informacionin, si dhe për të marrë një koment lidhur me caktimin e masës së paraburgimit, por i njëjti e ka mohuar të jetë i përfshirë në rast, duke ngritur zërin dhe ofenduar.
“Monitoruesi: Veç desha me të pyet a je avokat i angazhuar tek ky rasti?
Avokati Hoxha: S’ki nevoje ti more më m ‘thirr, me m ‘pyet hiç për këto punë, as unë s’ta konfirmoj, as a e ki në procesverbal nuk jam aty avokat, as nuk është emri jem.
Monitoruesi: Por, ju ishit..
Avokati Hoxha: Mos më njek përmas, si budallë po më njek përmas nëse unë foli me një koleg ose diskutoj diçka, e tjera e tjerë.
Monitoruesi: Avokat, po ju i thatë zyrtarit pse s’më keni shti në proces qata të thirra, pse s’më keni shti..
Avokati Hoxha: Çka po të intereson ty nëse më shtinë në proces a nuk m’ shtinë në proces, a do të kyçna a nuk do t ‘kyçna?”
Përkundër mohimit se është avokat, më pas ka thënë se nuk mund ta komentojë rastin njëherë.
“Monitoruesi: Veç me ditë se a jeni mbrojtës i tij dhe me ju pyet në lidhjen me rastin qysh e komentoni, për këtë arsye?
Avokati Hoxha: Po s’ki nevojë me më pyt, as me komentu, unë të tregova shumë kjart, thash nuk jam për me komentu sepse ende nuk e di statusin se qysh çka tek, nuk muj me komentu njëherë, ti po më përndjek.
Monitoruesi: Jo nuk po të përndjeku, veç shumë shkurt po të pyes mbrojtës, po apo jo? Në rregull, kurrgjë tjetër.
Avokati Hoxha: S’ki nevojë unë kur nuk të lajmërona njëherë, mos më thirr t ‘dytën herë të lutna ma kurrë, kur nuk të lajmërona herën e parë, mos m ‘pengo, mos m’ shqetëso, a merr vesh?
Monitoruesi: Veç thjeshtë, avokat që ishin prezent aty, dëgjuam që je mbrojtës për këtë arsye të pyeta.
Avokati Hoxha: Po çka me më dëgju, mos u përsërit ma, mos u përsërit ma, mos më thirr ma për këtë punë, herave tjera nëse nuk lajmërona herën e parë mos më thirr herën e dytë. Je tu m ‘pengu tu më thirr disa herë. Kjo është vepër penale e ngacmimit”.
Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga avokati i parë i Spasojeviq, Ljubomir Pantoviq.
Pantiq ka refuzuar ta konfirmoj duke kërkuar që për këtë të pyetet vetë Hoxha.
“Pyete Asdrenin, fol me Asdrenin”, tha avokati Pantoviq.
Këtë informacion, të mërkurën e ka konfirmuar Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në përgjigjen e zëdhënëses për informim, Mirlinda Gashi, thuhet se Hoxha ka dorëzuar autorizim në gjykatë, i caktuar nga familjari i të pandehurit.
“Avokati Asdren Hoxha, i caktuar sipas autorizimit nga familjari i të pandehurit, i cili këtë autorizim e ka dorëzuar në gjykatë, por nuk ka marrë pjesë në seancën për caktimin e paraburgimit të mbajtur Gjykatën Themelore në Prishtinë”, ka thënë Gashi, raporton Betimi për Drejtësi.