Negociatat për të vazhduar bashkëpunimin ndërmjet Klubit Futbollistik “Drita” dhe mbrojtësit Fidan Gërbeshi kanë rezultuar me sukses, pasi që dy palët tashmë kanë gjetur rrugën për të vijuar punën së bashku.
Përmes burimeve brenda klubit kampion të Kosovës, Gazeta “Sheshi” merr vesh që zyrtarizimi i kontratës së re do të bëhet së shpejti apo më së largu në javën e ardhshme.
Kontrata e Gërbeshit me klubin gjilanas kishte përfunduar, ndërkohë që kohëzgjatja mund të bëhet edhe për të paktën një edicion.
35 vjeçari ka qenë edhe këtë edicion njëri ndër futbollistët më të dalluar të kampionatit, derisa në 31 paraqitje ka realizuar edhe dy gola.
Në palmaret e tij ai numëron katër tituj kampioni, dy trofe të Kupës dhe dy të tjerë të Superkupës.
Në të kaluarën Gërbeshi ishte pjesë e klubeve si Ulpiana, Fushë Kosova dhe Feronikeli.