Federata e Futbollit e Kosovës ka nënshkruar sot një tjetër Memorandum Bashkëpunimi që ka të bëjë me ndërtimin e fushave të futbollit. Projekti i radhës është me Komunën e Gjilanit.
Nënshkrimi i Memorandumit është bërë nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, teksa investimi në ndërtimin e fushës do të jetë i përbashkët me Komunën e Gjilanit.
Ndërtimi i fushës së re në Gjilan vjen si pjesë e programit të FFK-së “Çdo 45 ditë një fushë futbolli”, që synon përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në çdo cep të vendit.
Fusha e re që do të ndërtohet në Gjilan do të krijojë kushte dhe mundësi edhe më të mira për klubet, të rinjtë dhe komunitetin sportiv në përgjithësi në këtë komunë.