Burime brenda PDK-së, para disa dite kishin raportuar se Qemajl Mustafa do të jetë kandidat për të parin e Gjilanit, por në një reagim Gani Neziri ka thënë se ende nuk është përcaktuar kandidati për të parin e Gjilanit dhe se nuk e mohon kandidaturën e tij për zgjedhje komunale,duke i hedhur poshtë burimet brenda PDK-së lidhje me lajmin rreth kandidaturës së Qemajl Mustafës.
Reagimi i Gani Nezirit:
Reagim rreth lajmit të paverifikuar për nominimin e kandidatit të PDK-së për Kryetar Komune në Gjilan, nga portali i lajmeve të “RadioStar” i mbështetur në një informatë anonime
TRAMPOLINË POLITIKE PËR T’I DHËNË KAHJE VËMENDJES SË QYTETARËVE
Në fakt, informata ka një pjesë të saktësisë në përmbajtjen e saj. Por, nuk ishte vetëm kaq, kishte edhe diçka më shumë.
Është e vërtetë se Kryetari i PDK-së z.Kadri Veseli në prezencën e gjashtë të ftuarve “special” nga dega e Gjilanit përmendi emrin konkret për nominim, por, kjo nuk është e tëra.
Aty u fol edhe më shumë se kaq. Aty kishte kundërshti lidhur me nominimin. Madje, asnjëri nga të pranishmit nuk i dha mbështetje këti nominimi. Ama, bash asnjëri nga të gjashtit që ishim prezent.
Prandaj, ky “nominim” nuk është fjala e fundit në politikë dhe si i tillë nuk do të duhej të merrte dhenë.
E themë këtë me përgjegjësi morale dhe politike, sepse, njëri nga të ftuarit “special” isha edhe unë që nuk dua të mbetem anonim.
Kryetari Veseli do të vazhdojë me konsultime në degën e Gjilanit për të zgjidhur këtë nyje politike për t’mos ju lënë vend “burimeve anonime” të cilat përdoren si trampolinë politike për t’i dhënë kahje vëmendjes së qytetarëve, respektivisht, aktivistëve politik të degës së PDK-së në Gjilan.
Kjo formë e dhënies kahje për ta “zënë rendin”, tanimë është e vjetruar në rrafshin politik. Nëse jo të gjithë lexuesit, këtë “teknikë” e kuptojnë mirë ata që kanë përvojë në politikë.
Kështu që, e lus “Radio Star-in” të mos mbështese njëanshëm një kandidat në raport me kandidatin tjetër “të mundshëm” që isha unë, Gani Neziri!
Ps. Çdo reagimi eventual ndaj këtij shkrimi (jo anonim) do t’i përgjigjem me detaje konkrete të takimit.