HALILI Muhamet (1972 – ). Gazetar. U lindi më 1972 në Gjilan ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, studimet i filloi në Prishtinë në Fakultetin Elektroteknik, për t’i ndërprerë dhe kaluar në fushën e gazetarisë.
Fillimisht merrej me enigmatikë, ishte anëtar i redaksisë së revistës “Thesari”, pastaj anëtar i redaksisë të së përdyjavshme për Rajonin e Gjilanit “Bashkimi”, që doli më 1998 – 1999, gjithsej 24 numra.
Ishte pjesë e redaksisë, përgjegjës për rubrikën e sportit dhe argëtimit. Nga viti 2000 deri më 2005, ishte pjesë e stafit redaktues në Radio Gjilan, një kohë edhe gazetar sportiv, duke realizuar emisione të shumta sportive e më pas edhe përgjegjës i sektorit të sportit.
Paralelisht ishte edhe gazetar i Agjencisë së lajmeve Kosovapress (2000 – 2010), ku ka mbuluar ndër tjera edhe ngjarjet sportive nga Gjilani. I vlerësuar në mesin e më të mirëve në dhjetëvjetëshin e parë të punës së Kosovapress-it.
Nga viti 2010 është themelues dhe drejtues i Portalit të Lajmeve Rajonale 2LONLINE, i fokusuar në mbulimin e ngjarjeve që ndodhin veçmas, në Gjilan, Kamenicë Viti e Novobërdë, duke përfshirë edhe ato sportive.
2LONLINE, ka qenë i shpërblyer për disa vite rresht nga DKRS-ja në Gjilan për mbulueshmëri të plotë e korrekte të ngjarjeve të këtyre fushave. Aktualisht jeton në Gjilan dhe vazhdon ta drejtojë Portalin 2LONLINE, ku për sektorin e sportit, përveç që shkruan edhe vet, ka të angazhuar gazetarë dhe ka po ashtu edhe bashkëpunëtorë të jashtëm. Përndryshe, përveç me gazetari merret edhe me letërsi, është prozator. Jeton dhe vepron në Gjilan.